Kryeministri takohet me ambasadorin britanik dhe atë të Kroacisë, temë diskutimi zhvillimet politike në vend
Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell, me të cilin ka diskutuar për situatën politike në vend dhe progresin substancial që Kosova ka shënuar në rend e ligj.
“Shpreha edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë për të fuqizuar angazhimin dhe bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në të gjitha fushat e interesit tonë të përbashkët”, ka thënë Haradinaj pas takimit.
Kryeministri është takuar edhe me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, për të diskutuar mbi çështjet e rëndësishme politike për vendin dhe rajonin.
“Takimi i Berlinit, ai i Parisit dhe takime të tjera regjionale, janë rast i mirë i bashkëpunimit dhe avancimit të raporteve në Ballkanin Perëndimor. Theksova se mbështetja e Kroacisë duke qenë pjesë e Presidencës së BE-së është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe se jemi duke punuar fuqishëm që qytetarët tanë sa më shpejt të bëhen pjesë e familjes europiane, përmes liberalizimit të vizave”, ka thënë Haradinaj.