
Kryeministri thotë se nuk është zmbrapsur për shuarjen e Task Forcës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth Task Forcës antikorrupsion, të cilën e ka shfuqizuar para disa ditësh.
Hoti është pyetur nëse Task Forca është kthyer në funksion, derisa ka theksuar se nuk është zmbrapsur për shuarjen e saj.
“I kam dhënë sqarimet edhe në Kuvendin e Kosovës, jemi në proces të përgatitjes së organogramit të ri të policisë në përputhje me ligjin. Dhe, gjatë kësaj periudhe nuk do të mbetet mbrapa asnjë çështje që ka qenë në shqyrtim nga Task Forca”, ka deklaruar Hoti.
Ndërkohë, pas shfuqizimit të Task Forcës antikorrupsion, e cila vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës, Hoti kishte deklaruar se ky vendim i hap rrugë institucioneve që të punojnë në përputhje me ligjet përkatëse.
Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.