Kryeministri Xhaferi mban ligjëratë në kolegjin AAB për marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, ka vizituar të mërkurën Kolegjin AAB ku ka mbajtur ligjëratë për studentët me temën: “Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, i ka uruar mirëseardhje Xhaferit në emër të stafit të institucionit, duke shprehur vlerësimin e lartë për kontributin dhe angazhimin e kryeministrit ndër vite për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Kolegjin AAB e kanë vizituar shumë personalitete të jetës publike dhe politike, shkrimtarë, artistë e poetë eminent, por prezenca juaj është e rëndësisë së veçantë dhe domethënëse e motivuese veçanërisht për studentët tanë”, është shprehur Olluri.
Ndërsa kryeministri Talat Xhaferi, ka thënë se “është kënaqësi e veçantë të gjendet para stafit dhe studentëve të Kolegjit AAB, në ambientet e bukura i rrethuar me intelektualët aktual dhe të ardhshëm të vendit mik, fqinj dhe mbi të gjitha vëllazëror Kosovës”.
Më tutje, ai ka folur i për marrëdhëniet që gëzojnë ndër vite dy republikat ajo e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat sipas janë trashëguar brez pas brezi me të gjitha sfidat, të përbashkëtat dhe çdo proces tjetër të rëndësishëm për dy palët.
“Bashkërisht gjenerata të tëra kanë renditur kontributet e tyre për shtetndërtim dhe ne kemi të kaluar të përbashkët. Historia jonë është e dhimbshme dhe e hidhur për pasojat që ka lënë dhe përjetimet që i kemi pasur të gjithë. Sot me rastin e shënimit të marsit të lavdishëm për 26-vjetorin e ‘Epopesë së UÇK’-së, kam pranuar ftesën që të jem në këtë periudhë në Kosovë dhe kjo më kthen pas tek ato vite”, ka thënë Xhaferi.
Si shenjë mirënjohje për praninë e tij, kryeministrit Xhaferi i është dhuruar një pikturë nga studentja e Fakultetit të Arteve në Kolegjin AAB, Fortesa Berisha, kurse kishte edhe shumë pyetje të parashtruara nga studentët që ndërlidheshin me integrimin e dy shteteve në BE, thellimin e raporteve, bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe arsimor etj.
Xhaferi përveç ligjëratës, ka zhvilluar takime edhe me Këshillin Drejtues të Kolegjit AAB dhe ka vizituar hapësirat e shumta të institucionit.