Kryeministrit Kurti i shkuan në takim vetëm 12 kryetarë të komunave
Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim me kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rëndësinë dhe angazhimin e gjithmbarshëm në përballje me pandeminë.
Për shkak të thirrjes që Asociacioni i Komunave të Kosovës iu kishte bërë kryetarwve që tw mos shkojnë në këtë takim, ftesës se kryeministrit ia kanë përgjigjur vetëm 12 kryetarë.
Sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim, kryeministri ka thënë se masat kundër virusit Covid-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme të zbatohen në përpikëri.
Ai ka thënë se varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse.
“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it”, tha kryeministri Kurti.
Derisa mjekët dhe infermierët shërojnë pasojat e virusit, parandalimi i tyre mbetet përgjegjësi e mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të masave kundër virusit, ka deklaruar kryeministri. “Ai theksoi se përveç Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha dikasteret e qeverisë janë në shërbim dhe funksion të këtij bashkëpunimi. Në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë. Kryeministri Kurti tha se së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia do të jetë në komunikim të vazhdueshëm edhe me komunat e tjera që nuk ishin të pranishëm në takim”, është thënë në njoftimin e qeverisë.
AKK-ja tregon arsyet pse kërkoi që kryetarët e komunave të mos takohen me Kurtin