Kryeministrja e Serbisë për dialogun: Le të përfshihet kushdo që mund të ndihmojë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka bërë me dije se të mërkurën do të diskutojë në takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ajo ka thënë se Serbia mbështet përfshirjen e secilit që mund të ndërmjetësojë dhe të ndihmojë në heqjen e taksës dhe të vazhdojë dialogun.
E pyetur nga mediet të komentojë se Gjermania dhe Franca dëshirojnë të përfshihen në dialog njësoj si ShBA-ja, Brnabiqi ka thënë se Gjermania dhe Franca kishin bërë përpjekjen më të drejtpërdrejtë për të ndërmjetësuar midis Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e taksës, e sidomos pas takimit në Berlin të organizuar nga Angela Merkel dhe Emmanuel Macron.
Ajo ka kujtuar se takimi në Paris ishte anuluar pasi nuk kishte rezultate konkrete. “Gjermania dhe Franca kanë bërë thirrje për anulimin e vendimit për tarifat, por Prishtina ka kundërshtuar. Gjermania, më qartë, i bëri thirrje Prishtinës lidhur me këtë çështje në takimin e Berlinit,”, ka thënë Brnabiq.