Kryeministrja e Zelandës së Re: Kurrë s`do ta përmend emrin e sulmuesit të xhamive
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është zotuar se nuk do ta thotë kurrë emrin e sulmuesit të xhamive në qytetin Kristçërç.
“Ai kërkoi shumë gjëra me aktin e tij të terrorizmit dhe njëra prej tyre ishte fama. Kjo është arsyeja përse nuk do të më dëgjoni kurrë duke përmendur emrin e tij”, ka deklaruar Ardern në një fjalim emocionues para Parlamentit të Zelandës së Re.
Kryeministrja Ardern iu drejtua një seance të posaçme të Parlamentit të martën, duke nisur fjalimin e saj me përshëndetjen arabe “Al-Salaam Alaikum”, që në shqip do të thotë “Paqja qoftë mbi ju”.
“Pesëmbëdhjetë marsi do të jetë gjithmonë një ditë e gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Në pasditen e qetë të një të premteje, një burrë sulmoi një vend paqësor të lutjeve, duke marrë 50 jetë. Ajo pasdite është bërë dita jonë më e errët”, është shprehur Ardern.
Ajo ka thënë se do të flasë për emrat e atyre që kanë humbur jetën, por jo edhe të njeriut që i vrau ata. “Ai është terrorist. Ai është kriminel. Ai është ekstremist. Por, kur unë të flas, ai do të jetë pa emër”, është shprehur Ardern.
Ajo i siguroi ligjvënësit se sulmuesi “do të përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi qytetarët e Zelandës së Re që të bashkëndjejnë me myslimanët këtë të premte, kur të shënohet një javë nga sulmi.
Ardern më herët ka njoftuar se ligjet e armëve në Zelandën e Re do të reformohen dhe se detajet do të paraqiten brenda disa ditësh.
Kryeministrja po ashtu u bëri thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin, pasi sulmuesi në Kristçërç e transmetoi drejtpërdrejt aktin e tij në “Facebook”. “Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të pranojmë që këto platforma ekzistojnë dhe ajo që thuhet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku publikohet”, ka thënë Ardern.
Të shtënat e së premtes së kaluar nga një australian 28 vjeç në dy xhami lanë të vrarë 50 vetë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.
Në mesin e 50 personave të vrarë në dy xhami, gjatë faljes së xhumasë, ishin migrantë myslimanë, refugjatë dhe banorë nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, India, Turqia, Kuvajti dhe Somalia./rel/