Kryeminstri Kurti s’e mbajti as premtimin për Ligjin për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë
Kur synonte të merrte pushtetin, një ndër premtimet e Albin Kurtit, aktualisht Kryeministër i Kosovës, ka qenë miratimi i Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë.
Me këtë ligj, Kurti zotohej se zyrtarëve policorë do t’u garantohej e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Mirëpo, kur mori mandatin dhe në më shumë se 3 vjet qeverisje, ekzekutivi i tij nuk ndërmori ndonjë veprim lidhur me këtë çështje.
Albanian Post e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Zyrën e Kryeministrit, për arsyet pse nuk është mbajtur ky premtim dhe çka është duke u punuar në këtë drejtim, por deri në publikimin e këtij artikulli ka munguar një përgjigje.
Nga ana tjetër, Nënkryetari i Sindikatës të Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka thënë se është shumë e nevojshme që PK-së t’i shtohen policë të rinj dhe ata që janë në moshë të shtyrë të pensionohen, duke theksuar se ky ligj është shumë me rëndësi.
Se është tejet i domosdoshëm ky ligj, Hoti ka argumentuar se mosha e sëmundjet kronike i pengojnë zyrtarët policorë t’i kryejnë detyrat.
“Ne kemi policë me sëmundje kronike domethënë është një numër i konsiderueshëm dhe ata nuk janë në gjendje që ta kryejnë punën për arsye se janë të shtyrë në moshë dhe sëmundja e tyre nuk e lejon që ata të jenë aktivë dhe të kryejnë punën ashtu siç duhet”, tregoi ai.
Për numrin e policëve me sëmundje kronike, që i përmendi Hoti, AP ka pyetur Policinë e Kosovës. Ata kanë treguar se janë 109 punonjës të tillë.
Nënkryetari i Sindikatës thekson faktin se ka pasur iniciativa në lidhje me Ligjin për Pensionimin e Parakohshëm, mirëpo nuk është arritur asgjë konkrete.
“Nuk është vetëm në këtë qeveri, por edhe qeveritë e tjera kanë premtuar vazhdimisht që do ta kemi një ligj për pensionimin e Policisë, por nuk ka ndodhur deri më tani”, shtoi ai.
Iniciativat kanë ekzistuar, por për arsye që Hoti nuk di t’i thotë nuk është miratuar ligji në fjalë.
“Ndoshta edhe ka kosto buxhetore”, pohoi ai, dhe shtoi se “duhet medoemos që të bëhet diçka fundi fundit të bëhet ligji invalidor edhe ata që nuk munden ta kryejnë detyrën të shkojnë”.
“Ne kemi polic edhe në moshën e shtyrë që janë mbi 55 vjeçare deri në 65 vjet që janë shumë aktiv edhe janë të domosdoshëm për Policinë e Kosovës”.
Ai ka bërë thirrje që të merret më seriozisht çështja me ligjin, duke treguar edhe formën se si duhet që të miratohet ligji.
“Policia duhet ta ketë një ligj të vet të pensionimit, por të jetë i ngjashëm ose sikurse e kanë FSK-ja, por jo të hyjë në skemat pensionale sepse për neve është i papranueshëm është diskriminues”, tha Hoti.
Ky premtim i Albin Kurtit jo që nuk është realizuar, por sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, është anashkaluar e madje as nuk është diskutuar.
“Pushteti as që e ka si temë duke e trajtuar çështjen e pensionimit të parakohshëm të Policisë, pra komplet është anashkaluar”, ka thënë Qalaj në një prononcim për AP.
Ish-drejtori i PK-së ka treguar se ata kanë pasur një iniciativë ligjore e cila është shqyrtuar në parlament, por që nuk ka pasur mbështetje nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – parti që vetë e kishte premtuar një gjë të tillë.
“Përveç votave të opozitës nuk e ka marr asnjë votë të vetme nga partia në pushtet, i vetmi deputet që ka diskutuar në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e ligjit për pensionim të parakohshëm të Policisë ka qenë Enver Dugolli”, bëri me dije ai.
“Ai ka thënë që Qeveria është duke e rishikuar çështjen e skemave pensionale, ndërsa absolutisht nuk ka folur asgjë për Policinë dhe për Ligjin për Pensionim të Parakohshëm”.
Përkundër se nuk kanë mbështetje nga pushteti, Qalaj nënvizoi se partia që ai përfaqëson në muajt e mbetur të kësaj legjislature do të tentojnë përsëri që ta shtyjnë përpara këtë ligj.
“Kur të fillojmë sesionin vjeshtor që edhe një herë nëse kemi mundësi ta shtyjmë përpara këtë ligj dhe ta provojmë në parlament se a do të kemi sukses apo jo nuk e di”, shtoi ai.
Miratimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm, sipas Qalajt, është i rëndësishëm për disa arsye.
“Unë mendoj që është njëri ndër ligjet që me të vërtetë kishte kontribuar në rritjen e sigurisë vet për shkak të moshës së shtyrë të shumë policëve dhe policeve në Policinë e Kosovës, për shkak të një numri shumë të madh të policëve dhe policeve me sëmundje të rënda kronike”.
“Ligji për pensionim të parakohshëm me një aspekt do i dërgonte në pension këta polic edhe police që janë edhe me moshë të shtyrë, por edhe me sëmundje kronike do t’i trajtonte me njëfarë dinjiteti, ndërsa, në anën tjetër, e kish dhënë mundësinë për rekrutim të gjeneratave të reja që realisht do të ndikonte edhe në çështjen e sigurisë pastaj”.
Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhej se në mënyrë që të mos dëmtohet funksionimi i rregullt i PK-së, zbatimi i ligjit do të ndahej në disa faza, në të cilat policët që e shfrytëzojnë të drejtën e këtij pensionimi do të zëvendësoheshin gradualisht përmes rekrutimit të mbi 2 mijë zyrtarëve të rinj policorë.
Mirëpo, përkundër premtimeve, zbatimi nuk është askund.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i zyrtarëve policorë në Kosovë është 8 mijë e 664. Mbi moshën 55 vjeçare janë mbi 1 mijë e 772.
Pushteti i Albin Kurtit ka shumë premtime që nuk i ka mbajtur, për një pjesë të të cilave ka raportuar Albanian Post.
Ekzekutivi iu premtoi zgjidhje përfundimtare për strehimin të moshuarve të vetmuar në Kosovë, duke u zotuar se do të ndërtonte pesë shtëpi, por që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.
Një tjetër premtim, kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo edhe ky zotim nuk është aspak afër realizimit.
Po ashtu, nuk është realizuar as premtimi për rritjen e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.
Partia në pushtet, ishte zotuar se do të krijonte vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë, por çerdhet e finalizuara nuk janë aspak afër numrit të premtuar.
Pastaj, nuk pati veprime as lidhur me premtimin për rritjen e qendrave dhe shërbimeve për gjendjet e caktuara si autizmi, sindromë Down e të tjera.