Kryendeshja e hendbollisteve nuk jep fitues
Ashtu si pritej kishte rivalitet në kryendeshjen e javës së gjashtë të Superligës së Kosovës për hendbolliste në mes të Prishtinës dhe Kastriotit të Ferizajt.
Dhe në fund ndeshja e luajtur të dielen në kryeqytet nuk dha fitues, duke përfunduar me rezultat 22:22. Prishtina e nisi shumë më mirë ndeshjen duke krijuar epërsi deri në pesë gola, por ferizajaset nuk u dorëzuan dhe në fund e fituan pjesën e parë me rezultat 10:9. Në pjesën e dytë Kastrioti kishte epërsi prej katër golave në disa raste, por këtë herë lojtaret e Prishtinës nuk u ndalën dhe në fund e fituan një pikë.
Prishtina është e katërta me 9 pikë, kurse Kastrioti i pesti me 7.
Te Prishtina më efikasja ishte P. Prelvukaj me 5 gola, kurse te Kastrioti 10 gola i realizoi A. Basha.
Të dielen u luajt edhe ndeshja në mes të Dritës dhe Vushtrrisë.
Fitore me rezultat 44:19 shënoi Vushtrria. Kështu skuadra vushtrriase u shkëput sërish në tabelë në vendin e parë. I ka fituar të gjitha gjashtë takimet e deritashme dhe udhëheq me 12 pikë, dy më tepër se Shqiponja e Istogu.