Kryenegociatori i Serbisë: Kosova konfirmoi se nuk dëshiron ta formojë Asociacionin
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, në një prononcim për media të martën, pas takimit me zëvendësministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi në Bruksel, tha se ky i fundit ka refuzuar të diskutojë për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e propozuar nga Bashkimi Evropian.
Një refuzim i tillë, siç pretendon ai, tregon qartë se Kosova nuk dëshiron të formojë këtë mekanizëm “që është çështje kyçe për mbijetesën e serbëve dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.
“Është e nevojshme që Kosova ta pranojë draft-statutin e hartuar nga BE-ja. Beogradi tha se është i gatshëm të diskutojë atë statut, Bislimi refuzoi”, ka thënë ai, raportojnë mediat serbe.
Petkoviç, ndër të tjera, njoftoi se në takim bilateral me të deleguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është diskutuar edhe çështja e hapjes së urës mbi Lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
“Për këtë çështje ne insistuam që të arrihet një marrëveshje. Lajçak edhe një herë konfirmoi se çështja e urës mund të zgjidhet vetëm me dialog, asnjëherë me lëvizje të njëanshme dhe pa dialog”, ka shtuar ai.