Kryeparlamentari i Çekisë në Kuvendin e Serbisë: Çekia nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës
Njohja e pavarësisë së Kosovës kurrë nuk e ka pasur mbështetjen unike të shoqërisë çeke, por tërheqja e kësaj njohjeje nuk mund të pritet tani, ka thënë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të parlamentit çek, Radek Vondraçek.
“Njohja e Kosovës në Çeki është përcjellë me mosmarrëveshje të ndryshme dhe kurrë nuk ka pasur mbështetje të madhe në shoqërinë çeke. Dhoma e Përfaqësuesve madje i ka bërë thirrje qeverisë që të përpiqet të gjejë një zgjidhje alternative dhe ta shihte të ardhmen përmes anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Parlamenti nuk i ka rekomandur qeverisë njohjen e Kosovës, por në fund ajo ka rënë në një lloj presioni dhe ndikimi nga argumente që nuk kanë qenë të sakta. Këtë e ka treguar edhe koha”, ka thënë Vondraçek, duke iu drejtuar një seance të posaçme të Kuvendit të Serbisë.
Duke kujtuar deklaratat e presidentit çek, Millosh Zeman, i cili ka deklaruar së voni në Beograd se Republika Çeke mund ta rishqyrtojë njohjen e Kosovës, Vondraçek ka thënë se këto qëndrime mund të japin shtysë për kërkimin e zgjidhjeve të reja, por “nuk mund të pritet ndryshim rrënjësor i qëndrimit të Qeverisë Çeke sa i përket Kosovës, sepse sipas shumë ekspertëve kjo nuk është e mundur”.
Vondraçek ka thënë se Republika Çeke e mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi siç tha ai “historia e ka bërë të qartë se stabiliteti i Evropës nuk është i mundur pa Ballkanin Perëndimor dhe stabiliteti i Ballkanit nuk është i mundur pa përfshirjen e Serbisë”.
Kosova është njohur nga Çekia në vitin 2008, kur kryeministër i këtij vendi ka qenë, Mirek Topolanek.