Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut uron Konjufcën
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka uruar kryeparlamentarin Glauk Konjufca, për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në urimin e tij, Xhaferi ka thënë se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës do t’i kultivojnë edhe më tutje marrëdhënie bilaterale.
“I nderuar z. Konjufca, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju drejtoj urime të sinqerta për zgjedhjen e juaj për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me dëshirë për kryerje të suksesshme të kësaj detyre me përgjegjësi. Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kultivojnë marrëdhënie bilaterale të mrekullueshme që karakterizohen me afërsi, përzemërsi dhe miqësi, si edhe me mbështetje të ndërsjellë pa rezervë dhe unë sinqerisht besoj se edhe gjatë mandatit tuaj do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrën e njëjtë të hapur dhe miqësore”.
“Veçanërisht do e kisha theksuar bashkëpunimin ndërmjet kuvendeve si më të drejtpërdrejtë dhe të afërt. Më lejoni t’i përsëris zotimet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës në të gjitha nivelet dhe fushat me interes të përbashkët. Koleg i nderuar, pranoni edhe njëherë shprehjet e respektimit tim të thellë”, është thënë në urimin e kryeparlamentarit Xhaferi.
/Epoka e re/