Kryeparlamentari Veseli përkujton Shaban Polluzhën
21 shkurt 2018
| 11:31
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Shaban Polluzha.
Veseli ka thënë se Shaban Polluzha ishte kthyer në frymëzim të lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.
“Sot kujtojmë me nderim rënien e heroit të Kosovës, Shaban Polluzha. Në dimrin tragjik të vitit 1945, ky burrë i madh i Kosovës, u priu mijëra djemve trima në kryengritjen e parë antikomuniste në Evropë. Kryengritja e Drenicës nxori në dritë karakterin brutal dhe antishqiptar të Jugosllavisë komuniste. Partizanët e Titos rrafshuan mbi 40 fshatra e vranë mijëra civilë të pafajshëm, por shëmbëlltyra e Shaban Polluzhës u kthye në frymëzim të lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.