Kryeparlamentari Veseli: Taksa ndaj Serbisë do të mbetet
Tarifa doganore mbi mallrat e Serbisë është vendosur për të mirën e Kosovës dhe ajo nuk guxon të kthehet kundër të mirës së Kosovës.
Kështu ka deklaruar Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na e ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, ka thënë Veseli gjatë vizitës në një shkollë fillore në Ferizaj.
Megjithatë, Veseli, duke aluduar në propozimin e tij për një pezullim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën doganore për 120 ditë, ka thënë se propozimi është konkret, bazuar në kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Por, sipas tij, kjo do të ishte vetëm masë e përkohshme, ndërkohë që institucionet e Kosovës do të nisnin veprimet që të mos lejojnë më hyrjen e mallrave në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë e Metohi”, si dhe pa i respektuar institucionet e Kosovës.
Veseli ka thënë se në këtë drejtim është duke u punuar intensivisht dhe se “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk guxojnë të kenë qëndrime të ndryshme përballë Serbisë”.
Qeveria e Kosovës, me 21 nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Autoritetet e Serbisë kanë thënë se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën, në rast se taksa për produktet e Serbisë nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deri më tash ka mbetur këmbëngulës që kjo taksë të mos hiqet.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta pezullojnë këtë vendim, qoftë edhe përkohësisht, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.