Kryeparlamentarja e Bullgarisë ia konfirmon Veselit mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Bullgari, ka zhvilluar një takim të veçantë me homologen e tij bullgare, Tsveta Karayancheva.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në fushat me interes reciprok.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova dhe Bullgaria duhet të intensifikojnë marrëdhëniet midis tyre, aq më tepër kur tani shënohet 10-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
“Bullgaria është njëra ndër shtetet që e ka ndihmuar shumë Kosovën në të gjitha proceset, nga viti 1999. Është ndër vendet e para që e ka njohur shtetin tonë më 2008. Tani, brenda BE-së është zë i promovimit të Kosovës”, ka theksuar Veseli.
Kryetari i Kuvendit ka shtuar se mbështetja e Sofjes zyrtare për Kosovën vazhdon të mbetet e rëndësishme, si në bartjen e përvojës së saj legjislative, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe aspiratat euro-atlantike.
“Mora zotimin se Bullgaria në mënyrë të vazhdueshme do të jetë përkrah Kosovës, në të gjitha proceset dhe sfidat që ajo ka para vetes në rrugëtimin e integrimit evropian. Bullgaria është përkrahëse në procesin e liberalizimit të vizave, është përkrahëse për Interpolin dhe në çdo proces aplikimi të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Ai ka shprehur besimin se tani do të hapet një etapë e re bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve.
Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Tsveta Karayancheva, nga ana e saj ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën edhe në të ardhmen, sidomos në rrugën e integrimit evropian.
/Epoka e re/