Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Ta ndalim ofensivën diplomatike të Serbisë ndaj Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë me të gjitha forumet ndërkombëtare për të ndalur ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Pas takimit me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca, ajo ka thënë se duhet të punohet edhe në vetëdijesimin e botës për krimet serbe në Kosovë.
“Duhet të bashkëpunojmë me të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Të punojmë më shumë në të gjitha forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të dijë se Serbia ka kryer krime ndaj njerëzimit, gjenocid, krime lufte”, ka thënë Nikolla.
Ajo ka bërë me dije se do të iniciohen edhe mbledhje të përbashkëta të komisioneve parlamentare.
“Ne sot ramë dakord që vendet të nxisim bashkëpunimin e jo vetëm ta lëmë në planin emocional e të dëshirave, por të bashkërendojmë me plan konkret takimesh e agjendash politike të fokusuara për rezultate për qytetarët, edhe në Kosovë e Shqipëri. Ne inkurajojmë mbledhjet e përbashkëta të qeverive, do të institucionalizojmë edhe mbledhjet e përbashkëta të komisioneve dhe delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.