Kryeprokurori Beka: Xhavit Haliti dyshohet për sulm e Gani Dreshaj për kanosje ndaj Arben Gashit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, ka dhënë sot deklaratë në Polici, në Njësitin për Krime, në cilësinë e të dëmtuarit lidhur me rastin që ndodhi në Kuvendin e Kosovës më 18 maj të këtij viti.
Ndërkaq, në cilësinë e të dyshuarit pritet të merret në pyetje deputeti i PDK- së, Xhavit Haliti, si dhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.
Deputeti Xhavit Haliti dyshohet për veprën penale të sulmit, ndërkaq Dreshaj për atë të kanosjes.
Lajmin për “kallxo.com” e bëri të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.
“Sot në Polici është marrë në pyetje i dëmtuari Arben Gashi, ndërkaq Xhavit Haliti në cilësinë e të dyshuarit ende nuk është marrë në pyetje meqenëse gjendet jashtë vendit. Do të merret në pyetje edhe Gani Dreshaj, nën dyshimin se i është kanosur të dëmtuarit. Ky i fundit pritet të intervistohet nesër”, ka thënë Beka.
Kryeprokurori i Prishtinës theksoi se rezultatet e hetimit ende nuk kanë arritur në Prokurori meqë ende nuk është kompletuar lënda hetimore.