Kryeprokurori flet për gjendjen e veturës me të cilën policët ranë në Lepenc
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se sipas provave të siguruara deri më tani rasti i dy policëve tashmë të ndjerë, Armend Trena e Malsor Dashi, është aksident trafiku.
Në një prononcim për media nga vendi ku sot u gjet trupi i pajetë i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Armend Trena, kryeprokurori Jashari theksoi se vetura zyrtare me të cilën policët Trena e Dashi ranë në ujërat e Lepencit më 28 prill ka qenë në gjendje të rregullt.
Ai tha se nuk dihet se si ka ardhur deri te shmangia e veturës nga rruga.
Lidhur me lëndimet që i kishin kufomat, kryeprokurori i Ferizajt tha se ato janë nga aksidenti.
Edhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, se polici Armend Trena kishte lëndime në kokë dhe ekstremitete.
Edhe për trupin e policit tjetër, i cili u gjet ditë më parë, Malsor Dashit, Gërxhaliu tha se kishte lëndime që janë karakteristike për aksidente. /Kallxo.com