Kryeprokurori i Prishtinës për vrasjen në ‘Aktash’: I kemi marrë kamerat e sigurisë, po i përpunojmë incizimet
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e 1 shtatorit në mes familjeve Sekiraqa dhe Gashi (të njohur si Capat).
Aty një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Kryeprokurori Gashi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë marrë disa kamera tek rrugët e vendit të ngjarjes dhe se janë në fazë të përpunimit të video-incizimeve.
“Mbi bazën e tyre (video-incizimeve) jemi duke bërë përpjekje për të identifikuar që nëse personat që ne i kemi të ndaluar janë duke vrapuar në këtë rast apo është edhe ndonjë person tjetër që ne nuk e kemi brenda të arrestuar”, ka thënë Gashi.
Kryeprokurori i Prishtinës ka theksuar se janë në fazën fillestare të hetimeve, teksa tha se në momentin që do të identifikohet ndonjë person tjetër i përfshirë në rast do të ndërmerren veprime për arrestim.
“Pesë i kemi të identifikuar deri më tash dhe që të njëjtit janë të ndaluar”, ka treguar Gashi.