Kryeprokurori i Serbisë pret ‘hetim gjithëpërfshirës’ për shpërthimin në veri të Kosovës

03 dhjetor 2024 | 08:13

Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha se pret një “hetim gjithëpërfshirës” nga organet kompetente shtetërore të Serbisë për të përcaktuar të gjitha faktet relevante për shpërthimin në kanalin e Ibër- Lepncit në veri të Kosovës.

Kanali u dëmtua nga eksplozivët të premten në mbrëmje. Institucionet e Kosovës  e cilësuan si një akt terrorist dhe akuzuan Beogradin zyrtar për përfshirje, akuzë të cilën zyrtarët shtetërorë serbë e mohuan.

“Pres që do të hetohet nëse është kryer vepra penale e diversionit apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe autorët do të zbulohen dhe do të sanksionohen në mënyrë të duhur”, tha Stefanoviq, transmeton Hina.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë bastisjeve në veri të Kosovës ka konfiskuar një sasi të caktuar të uniformave ushtarake, armëve dhe municionit dhe ka arrestuar tetë të dyshuar, por disa prej tyre janë liruar.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar të hënën, pas takimit të ambasadorëve të vendeve të Kuintit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se SHBA-të nuk mund të thonë në këtë moment se kush qëndron prapa sulmit në kanalin Ibër-Lepenc.

“Është shumë herët për këtë dhe këto gjëra kërkojnë hulumtim të kujdesshëm”, ka thënë Hovenier premtoi se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen e SHBA-së.

Të dielën, presidenti serb Aleksandar Vuçiq hodhi poshtë kategorikisht përfshirjen e Beogradit zyrtar në shpërthimin në kanalin e ujësjellësit në veri të Kosovës, duke gjykuar se ishte një “përpjekje për një sulm të ashpër hibrid” për ta ndaluar Serbinë në rrugën e saj drejt Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një bilion…