Kryeprokurori i Shtetit takoi kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në vend

16 tetor 2023 | 16:51

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Administrim të Prokurorive.

Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat, vështirësitë, pengesat dhe çështje tjera me të cilat ballafaqohet institucioni i Prokurorit të Shtetit.

Me theks të veçantë u diskutua lidhur me gjendjen momentale në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, si dhe për nevojën e shtimit të numrit të prokurorëve në këtë prokurori.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u.d. kryeprokurori Kelmendi i njoftoi të pranishmit me aktivitetet që do të realizohen dhe përgatitjet që janë duke u bërë për shënimin e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ku secila prokurori do të organizojë aktivitete kushtuar kësaj jave.

Ndër të tjera, temë e diskutimit në këtë takim ishte standardizimi i praktikave të bashkëpunimit në mes institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si dhe aplikimi i sistemit SMIL, ku u diskutua për progresin e arritur dhe sfidat në aplikimin e këtij sistemi.

U.d. kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kërkoi angazhimin e kryeprokurorëve për të realizuar aplikimin e këtij sistemi elektronik nga të gjithë prokurorët e shtetit, duke shtuar se do të ketë monitorim të vazhdueshëm në zbatimin e këtij sistemi, i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies, transparencës, besueshmërisë, si dhe planifikimit dhe përgatitjes më të mirë të raporteve të punës të Prokurorit të Shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
18.10.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Gjilan 1.…