Kryeprokurori Lumezi flet për dorëheqjen e prokurorit Blakaj
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, tashmë i dorëhequr, Elez Blakaj, ka pasur mbrojtje nga shteti në rastet kur ka njoftuar për kërcënimet.
Në rastin e veteranëve të UÇK-së sipas Lumezit, ka qenë një kërkesë nga prokurori Blakaj për të siguruar Komisionin mjekësor që ka qenë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila kërkesë sipas tij është marrë parasysh dhe policia ka ofruar mbrojtje.
Lumezi ka thënë për “Insajderin”, se Blakaj kishte njoftuar edhe një rast tjetër kërcënimi.
Gjatë kohës ka qenë duke e hetuar imamin Shefqet Krasniqi, ndaj të cilit ishte ngritur aktakuzë për terrorizëm, Blakaj kishte pasur kërcënime ndaj fëmijëve të tij.
Në këtë rast, Lumezi ka thënë se vet kishte kërkuar që Policia e Kosovës që t’ju ofrohet mbrojtje fëmijëve të prokurorit.
“Kur ka qenë rasti i hetimit të Shefqet Krasniqit ne i kemi dhënë mbrojtje dhe ia kemi siguruar fëmijët çdo ditë i kemi dërguar në shkollë edhe i kemi pritur, pra Policia e Kosovës e ka bërë këtë pas kërkesës sime, pasi që prokurori me ka njoftuar se fëmijët janë kanosur. Ai vetë nuk ka pranuar të ketë mbrojtje të afërt lidhur me këtë rast”, ka thënë Lumezi.
Prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj, ka dhënën dorëheqje nga ky institucion me 13 gusht.