Kryeprokurori Lumezi takon ambasadoren e ShBA-së në Mal të Zi
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në kuadër të konferencës për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit e cila po mbahet në Mal të Zi, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Podgoricë, Judy Rising Reinke.
Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar ambasadoren Reinke me zhvillimet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës, për rezultatet arritura në luftimin e terrorizmit, si dhe për nevojën e Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si në Interpol dhe Europol.
Po ashtu, kryeprokurori i Shtetit e ka njoftuar ambasadoren amerikane edhe për bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit dhe vendet tjera në parandalimin e rasteve të terrorizmit, duke theksuar se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhën nga një shtet i vetëm, sepse krimet me të cilat po ballafaqohemi i tejkalojnë kufijtë kombëtar duke paraqitur rrezik serioz për shtetet tona.
Ndërsa ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ka theksuar se terrorizmi është një sfidë dhe luftimi i kësaj dukurie është detyrim i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka thënë se ky takim duhet të kontribuoj në rritjen e komunikimit ndër-shtetëror, i cili është shumë i rëndësishëm për luftimin e krimeve transnacionale.
/Epoka e re/