Kryeprokurori tregon detajet nga raporti i autopsisë së dy policëve
Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka konfirmuar se kanë pranuar raportin e autopsisë, i cili ka sqaruar detajet e vdekjes së dy policëve, Malsor Dashi e Armend Trena.
“Kemi marrë raportet e obduksionit për të dy policët, Armend Trenën dhe Malsor Dashin. Sipas raportit del se dy policët kanë vdekur para se të bien në lumin Lepenc”, ka sqaruar kryeprokurori i Ferizajit për “Kallxo.com”.
Sipas Shukri Jasharit, raporti i ekspertizës së komunikacionit tregon se policët janë vetaksidentuar.
Dy policët e Kosovës, Malsor Dashi e Armend Trena humbën jetën kur me veturën zyrtare ranë në ujërat e lumit Lepenc në mbrëmjen e 28 prillit.
Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë.