
Kryeqyteti i vendosur për menaxhimin e çështjes së qenve endacakë, 4 000 qen të trajtuar dhe 1 000 të adoptuar
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar të martën Qendrën për trajtimin e qenve endacakë.
Nga aty ai ka theksuar se kryeqyteti po vazhdon angazhimin për menaxhimin e çështjes së qenve endacakë.
Ai vuri në dukje se janë të vetëdijshëm që kjo është një detyrë e vështirë, veçanërisht kur përballen me mungesë të plotë të mbështetjes nga qeveria zero ndihmë, zero buxhet – pavarësisht se vetë ata kanë aprovuar një fond prej 9.8 milionë eurosh, nga i cili deri më sot nuk është shpenzuar asnjë cent.
Rama ka thënë se për më tepër, kërkesat e kryeqytetit për bashkëpunim për rritjen e sigurisë së qytetarëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria.
Sipas përgjegjësisë ligjore, komuna ka detyrimin vetëm kapjen dhe trajtimin e qenve dhe kthimin e tyre në rrugë, më pas. Mirëpo, duke marrë parasysh rrezikun dhe pasojat nga qentë endacakë, kryeqyteti ka ndërmarrë hapa shtesë duke investuar në krijimin e “Qendrës për trajtimin e qenve endacakë”, me qëllim që: Qentë të mos kthehen më në rrugë dhe të mos rrezikojnë qytetarët; Qentë të trajtohen në mënyrë profesionale dhe humane, duke siguruar që nuk do të keqtrajtohen ose eliminohen; Të krijohet një sistem i qëndrueshëm dhe i sigurt për trajtimin dhe adoptimin e qenve endacakë.
“Ky ka qenë një proces i gjatë dhe kompleks, i cili ka kërkuar kohë, por sot mund të themi me krenari se Prishtina është qyteti i vetëm në Kosovë që ka një qendër funksionale për qentë endacakë, ku ata trajtohen dhe strehohen deri në adoptimin e tyre nga dashamirës të kafshëve. Për më tepër, ekipet tona monitorojnë adoptuesit për t’u siguruar që qentë po marrin kujdesin e duhur. Janë ngritur 23 pika ushqyese, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me vetëm 5 sa ishin në vitin 2021. Janë trajtuar 4,000 qen endacakë, në krahasim me qeverisjen e kaluar ku për 8 vjet janë trajtuar vetëm 500 qen endacakë”, ka thënë ai.
Sistemi i ri për menaxhimin e qenve endacakë përfshin kapjen, trajtimin, sterilizimin, strehimin dhe adoptimin, duke siguruar një qasje humane. “Sot kemi adoptuesin e 1,000-të, një moment i rëndësishëm në përpjekjet tona për të siguruar familje dhe përkujdesje të qëndrueshme dhe afatgjatë për qentë endacakë”, ka thënë Rama.
Komuna e Prishtinës ka ftuar të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e kafshëve të vizitojnë këtë qendër, të njihen me punën e stafit dhe të marrin pjesë në përpjekjet për një sistem më të qëndrueshëm dhe të sigurt për menaxhimin e qenve endacakë.