Kryeqyteti me mungesë të parkingjeve
Njëri nga problemet më të mëdha të Prishtinës është komunikacioni i ngarkuar dhe mungesa e parkingjeve. Mungesa e tyre jo vetëm që po shkakton kaos në komunikacion, por kjo po ua pamundëson edhe lëvizjen e lirë këmbësorëve.
Zyrtarët komunalë për vite me radhë premtojnë se do ta zbusin këtë problem duke ndërtuar disa parkingje nëntokësore, mirëpo ky propozim ende nuk po mund të realizohet.
Milaim Fejzullahu, nga njësiti për Trafik në Policinë e Kosovës, i ka thënë “Radio Kosovës” se çdo ditë hasin në vetura që janë të parkuara në trotuare, e kjo, sipas tij, në radhë të parë pengon këmbësorët.
Ai ka thënë se gjendja e krijuar është pasojë e parkingjeve të pamjaftueshme në kryeqytet.
“Ne çdo ditë ballafaqohemi me parkingje ilegale, njësitë patrulluese duhet të merren çdo kohë për tërheqje të automjeteve nga trotuaret që t’ua lirojnë rrugën këmbësorëve, kështu që po të krijonte Komuna e Prishtinës hapësirë për parkingje publike, njësitet në terren do të merreshin me kundërvajtje të tjera e jo me parkingje ilegale”, ka thënë ai.
Ndërsa, zëdhënësi i Komunës se Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se në fund të këtij viti pritet të fillojë projekti i ndërtimit të parkingut nëntokësor, i cili do të ndërtohet të Fakulteti Filologjik.
Sipas Tahirit, ky projekt pritet të përfundojë brenda 18 muajve. “Jemi në fazën e parë për projektin e parkingut nëntokësor, që do të ndërtohet te Fakulteti Filologjik në Prishtinë dhe deri në fund të këtij viti do të kalohen të gjitha fazat që parashihen me procedurat e partneritetit publiko- privat, në mënyrë që në fund të dhjetorit të mund të fillojmë për rregullimin e parkingut nëntokësor, që do t’i ketë dy kate me kapacitet 500-900 makina”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të ketë edhe dy kategori të tjera të parkingjeve. Njëra është parkingjet e lagjeve, ku përparësi do të kenë banorët e lagjeve me bileta mujore, kurse për lagjet që nuk kanë parkingje, do të bëhen me rrugë një kaheshe.