![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/02/273679814_2496971453770031_3983150725489533979_n.jpg)
Kryeshefi i AShAK-ut pret në takim drejtorin e Arkivit Osman
Drejtori i përgjithshëm i Arkivit Osman të Presidencës së Turqisë, Ugur Ynall, ka vizituar dje Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK). Ynall ishte i shoqëruar nga zëvendësambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, Dilara Çelik.
Ynall dhe Çelik kanë biseduar me kryeshefin e AShAK-ut, Bedri Zyberaj, për bashkëpunimin e mirë të arkivave të Turqisë me ato të Kosovës si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe të aftësimit edhe më tutje të stafit profesional të kësaj agjencie.
Pas vizitës së drejtorit Ynall në AShAK, Zyberaj i ka dërguar mysafirët për vizitë në Prekaz. Për Ynall kjo ishte vizita e parë në Kompleksin “Adem Jashari”. Ai, sipas Zyberajt, është tronditur pas historisë që i është rrëfyer për familjen Jashari. “Do ta ruaj kujtim të përhershëm këtë që pashë sot!” – ka thënë Ynall.
Pas Prekazit, mysafirët kanë vizituar objekte të kultit fetar në Prizren (xhaminë e Sinan Pashës dhe të tjera) dhe kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.