Kryeshefi i `Infrakosit` kërkon ndryshimin e ligjit për hekurudha
Me Ligjin aktual për Hekurudhat, parashihet që vija ndërtimore të jetë 25 metra distancë nga aksi i hekurudhës. Por, kjo distancë duket e madhe për shefin e “Infrakosit” Agron Thaçi, i cili kërkon plotësim ndryshimin e ligjit.
Edhe nëse një pronë është private, sipas ligjit aktual në Kosovë, nuk mund të ndërtohen objekte në afërsi prej 25 metrash nga hekurudhat. Për shkak të ndërtimeve të tilla, janë ngritur padi të shumta nga “Infrakosi”.
Por, shefi i kësaj kompanie, Agron Thaçi, për Radio Kosovën ka thënë se në ligjin aktual nuk janë marrë parasysh specifikat e rajoneve të caktuara dhe për këtë arsye ai kërkon ndryshimin e këtij ligji. “Pretendojmë që në një të ardhme të afërt të bëjmë amendamentimin përkatësisht plotësim ndryshimin e ligjit, pikërisht të merremi me këto distanca, sepse konsideroj unë dhe ne në përgjithësi si hekurudhë se gjatë hartimit të ligjit nuk janë marrë parasysh specifikat, nuk janë trajtuar sa duhet hapësirat urbane dhe jashtë-urbane. Por është marrë një shabllon prej 25 metrave që në rastin e Prizrenit, Prishtinës dhe disa komunave nuk është domosdoshmërish të respektohen, mund të jenë distanca edhe më të vogla”, ka thënë Thaçi për “rtklive”.
Ai thotë se në plotësim ndryshimin e ligjit duhet pasur parasysh edhe legjislacionin e vendeve të tjera. Ndërtimet e larta që e kanë shkelur këtë ligji, janë bërë kryesisht në Komunën e Prizrenit. Pasi që rrënimi i tyre duket i vështirë, Thaçi thotë se aty do të ndërtohen mure mbrojtëse. “Ne me mure mbrojtëse kundër zhurmës, do të barikadohemi aty, do ta shfrytëzojmë pronën tonë, do të krijojmë akces transportit dhe trenit deri në stacion pa asnjë problem. Mirëpo nuk do të jetë e përshtatshme për ata që i shfrytëzojnë ato objekte”, thotë ai.
Shefi i kompanisë që ka mision t’i rrisë dhe mirëmbajë vijat hekurudhore për operim, kërkon edhe ri-funksionalizimin e linjës Xërxe-Prizren, që mund të jetë një linjë turistike. Ai thotë se këtë çështje ia ka hapur edhe kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj. E në hapësirën ku ndodhet stacioni i vjetër i trenit në Prizren, mund të zhvillohet ndonjë projekt atraktiv, ku në mes mund të qarkullojë treni nostalgjik, ashtu siç ekzistojnë nëpër disa metropole botërore.