Kryeshefi i KOSTT-it: Kohëve të fundit ka pasur tendenca për interferime nga anëtarët e bordit

05 korrik 2024 | 15:51

Përplasje e pakënaqësi kanë pasur anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) me kryeshefin e këtij institucioni, Evatar Zeqiri.

Ky i fundit, ka akuzuar bordin rreth tendencave për interferime.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të KOSTT-it në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryeshefi i KOSTT-it, Evatar Zeqiri, ka thënë se kohëve të fundit pjesën kryesore të punës është dashur të merret me dy anëtarët e bordit, Ajrina Gashin dhe Nebih Zariqin, pasi sipas tij, janë marrë më shumë me prokurim sesa vetë ai.

“Muajt e fundit ka pas tendenca për interferime nga anëtarët e Bordit. Këtu kem anëtarët të cilët janë marrë më shumë më prokurim sesa unë… ka raste të tilla individuale. Zonja Gashi dhe zotëri Zariqi kanë kërkuar që me raportuar zyrtari i prokurimit. Përgjegjësitë janë individuale mirëpo llogaridhënia mbetet të kryeshefi. Kohëve të fundit është bërë e pamundshme me punuar prej tyre. Pjesën kryesore të punës m’u ka dashur me u marrë me dy anëtarë të Bordit. Nuk e kam njoftuar Kuvendin se kam menduar që këto çështje mund të zgjidhen dhe janë kalimtare. Unë kam marrë vlerësimin 2-sh. Dosjet e prokurimit janë në platformë. As unë s’kam qasje. Informatat që janë publike janë publike, ‘filet’ nuk janë publike. Kam pas probleme edhe me staf. Janë marrë me çështje që s’janë të Bordit, por të memaxhmentit. Nuk mundet dikush me konstatuar shkelje përderisa janë institucionet kompetente”, ka thënë Zeqiri, raporton “EO”.

Ndërsa anëtarja e bordit të KOSTT-it, Ajrina Gashi, ka thënë se asnjëherë nuk i ka penguar në punë kryeshefit.

Për këtë, ajo ka thënë se është e gatshme të japë përgjegjësi.

“Nuk e mohoj që kam kërkuar raporte që janë të incizuara. Në fillim të vitit 2024 një anëtar i bordit e ngrit një çështje për transformatorin… Edhe kur kemi kërkuar raport për të ka qenë procesi i mbyllur… kompania ‘Madkos’ na ka paditë. Po më vjen shumë keq nga kryeshefi. Unë e kam përkrah kryeshefin në çdo sferë. Asnjëherë të vetme kryeshefit ekzekutiv nuk i kam shkuar në zyre me i pengu gjatë punës. Nëse kam kërkuar diçka jashtë ligjit, jam e gatshme me dhanë përgjegjësi para cilitdo organ shqyrtues ose ligjor”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i bordit, Nebih Zariqi, ka thënë se kohëve të fundit kryeshefi i KOSTT-it e ka luajtur rolin “kinse bordi është jo-ekzistent”.

“Ia kemi dhanë përkrahjen maksimale, çdo moment që e ka kërku, çdo rregullore që e ka pru. Kohën e fundit në mënyrë shumë të ashpër ka nis me luajtur një rol gati se Bordi është jo-ekzistent. Me kënaqësinë më të madhe e kemi votuar këtë djalë që është këtu.  Nuk kemi intervenu në fazën e prokurimit”, ka thënë deklaruar Zariqi.

Më tutje, anëtari tjetër i KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka thënë se kanë pas standarde të larta profesionale dhe ka pas probleme të brendshme, qysh në javën e parë.

Sipas tij, e kanë pasur të vështirë me i respektu standardet për faktin e problemeve të brendshme.

“KOSTT-i ka arrit të mbajë mirëkuptimin me mekanizma kombëtarë dhe ndërkombëtare, në periudhë të krizave është formuar komunitetin që ka marrë vendime. Probleme që nga lufta në Ukrainë. Me përkushtim maksimal, vërejmë rezultate pozitive, në aspektin e bilancit”, ka thënë Mehmeti.“Kemi ç’bllokuar projekt kapitalet që kanë qene pezull për vite më radhë, ka hy në fuqi marrëveshja, filloi operimin e pavarur në kuadër të bllokut Shqipëri- Kosovë. U themelua bursa shqiptare për të dyja vendet Kosovë -Shqipëri, për 236 milionë dollarë do të rezultohet projekti për formimin e baterive për energji. Në aspektin e tregut, ka pas iniciativa të ndryshme, nënshkruhet kontrata për projekte që janë në fazën përfundimtare, ndërtimi i nënstacionit në Ferizaj”, ka shtuar ai.

Kurse deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i është drejtuar Mehmetit se ka thënë atë çfarë ka qenë e ditur.

“E shfrytëzove me na tregu për ato çka i kemi dëgjuar dhe i kemi ditë. Për hir të korrektësisë për këtë nuk të kemi thirr”, ka thënë Shala.

Në vazhdim, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, ka pyetur se sa ka qenë buxheti i planifikuar për vitin 2023 dhe sa është shpenzuar ai buxhet, si dhe sa kanë qenë projektet dhe sa prej tyre janë realizuar.

Kryeshefi ekzekutiv, Evatar Zeqiri, ka thënë se buxheti i KOSTT-it, në total ka qenë 92 milionë euro, ndërsa është shpenzuar 28.5 milionë euro.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni i fundit ishte i tmerrshëm. Pas një aventure të…