Kryeshefi i “KRU Gjakova” arrestohet në Bullgari, dyshohet për trafikim me njerëz
Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar sot në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti të INTERPOL-it.
Krasniqi është vënë në kërkim nga Policia e Italisë nën dyshimet për trafikim me njerëz siç njofton Paparaci.
Autoritetet bullgare i kanë njoftuar sot zyrtarisht autoritetet kosovare për arrestimin e Krasniqit.
Përveç se zyrtar me funksion publik, Krasniqi është edhe aksionar i “Shpatturs”, një kompanie me bazë në Gjakovë që merret me transport të udhëtarëve.
Prokuroria italiane dyshon se Krasniqi është përfshirë në trafikim të njerëzve me dokumente të falsifikuara.
Bazuar në të dhënat publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Hasan Krasniqi figuron bashkë-pronar i kompanisë “Shpatturs”.
Ai posedon 50 për qind të aksioneve në këtë kompani. Gjysmën tjetër të aksioneve i posedon Muhamet Krasniqi, një familjar i tij.
Regjistri në ARBK i kompanisë “Shpatturs”
Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa nga viti 2014 deri në vitin 2017. I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej.
Në zgjedhjet e fundit lokale, ai ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.
Krasniqi është zgjedhur kryeshef në KRU “Gjakova” nga bordi i përkohshëm në KRU “Gjakova” i emëruar me 14 korrik të vitit të kaluar më një vendim të Qeverisë Kurti 2.