Kryeshefi i ri i KOSTT-it, vëllai i gruas i Mentor Hysenit të LV-së
“Familjarët janë për dasma e jo për punësim”, ishte fjalia e famshme e tash kryeministrit, Albin Kurti, sa ishte në fushatë zgjedhore duke garuar për të marrë pushtetin për një mandat të ri. Videoja me këtë thënie e shkëputur nga fushata e Kurtit shumë shpejt u bë virale. Mirëpo, mjaftoi të vinte në pushtet që kjo të ndryshonte për qeverinë Kurti, edhe tash, familjarët po rehatohen një nga një në poste në institucionet shtetërore derisa nuk dihet nëse po ftohen apo jo në dasma.
Me 10 gusht të këtij viti përmes një konkursi publik, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT), shpalli të hapur pozitën për kryeshef ekzekutiv të këtij institucioni. Burime të Gazetës Infokus bëjnë të ditur se besimin nga bordi i drejtorëve, për këtë pozitë e ka marrë, Evetar Zeqiri, i cili është vëllai i bashkëshortes së Mentor Hysenit, kandidatit për deputet e anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Miku (bashkëshorti i motrës) së, Evetar Zeqirit, Mentor Hyseni, ishte kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2019, ndërsa në qeverinë Kurti 1, përkohësisht mori edhe postin e kryesuesit të bordit të Ujësjellësit “Prishtina”. Mentor Hyseni ishte prezantuar si prurje e re gjatë para fushatës në vitin 2019. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti e pati përshkruar atë si një profesionist.
“Për 12 vite Mentor Hyseni ka punuar në pozita të larta menaxheriale nëpër institucione të ndryshme publike në Kosovë si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërsa në 4 vitet e fundit Mentori punon si Ekspert i Financave Publike në Kuvendin e Kosovës duke ofruar ekspertizën e tij të gjatë për t’i shërbyer një qeverisje më të mirë të parasë publike”, shkruante Kurti për Hysenin në fushatë të vitit 2019.
Gazeta Infokus ka kontaktuar me Mentor Hysenin i cili edhe ka konfirmuar relacionin e tij familjar me Evetar Zeqirin, duke thënë se punësimi i Zeqirit nuk ka lidhje me të. Sipas tij potencialisht 51% e qytetarëve në vend janë pjesë e LVV-së. Ai ka shtuar se bordi i Kostt-it është zgjedhur nga Kuvendi në bashkëpunim me anglezët dhe në zgjedhjen e tyre nuk ka fare gisht Lëvizja Vetëvendosje e që se sa ka qenë kompetent për detyrën e marrë për Zeqirin mund të flasë bordi i Kostt-it, nga i cili edhe është zgjdhur.
“Evetarin e kam vëlla të gruas, mik. Nëse dëshironi të pyesni nëse ai ka qenë kompetent për detyrën si kryeshef ekzekutiv atëherë për këtë duhet të pyetet bordi i Kostt-it. Sepse bordi e ka vlerësuar, është kryesuesi i bordit dhe anëtarët e bordit të cilët i ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës. Bordi është zgjedhur në bashkëpunim me anglezët pa pasë kurrfarë ndikimi të Lëvizjes Vetëvendosje, të paktën as mediat nuk e kanë atakuar që ka lidhje me LVV-në ky bord. Tash pse është mik i imi që jam anëtar i LVV-së, që potencialisht po them 51% janë Vetëvendosje në vend dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me mua”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa me ardhjen në pushtet në mandatin e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, me vendim të qeverisë, Hyseni u zgjodh dhe vazhdon të jetë, anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Mirëpo edhe vetë Zeqiri u punësua edhe në qeverinë Kurti 1. Përveç këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ai në qershor të vitit 2021 ishte zgjedhur edhe njëri prej anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, bord ky i zgjedhur nga qeveria. Ndërsa edhe Mentor Hyseni ka qenë, kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”.
Hyseni i LVV-së me disa vende të punës e të hyra vjetore mbi 38 mijë euro
Mentor Hyseni nga LVV-ja, aktualisht mban disa vende të punës. Në bazë të deklarimit të pasurisë, në Agjencinë Kundër Korrupsion(AKK), të vitit 2022, ai përveç anëtar i bordit në AKP, mban edhe 6 vende të tjera të punës, përfshirë edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës ku paguhet me kompensim. Paga e tij vjetore me 7 vendet e punës kap shifrën mbi 38 mijë euro.
Ndryshe nga Hyseni, vëllai i bashkëshortes së tij, Evetar Zeqiri ka të deklaruar në AKK, pasurinë e tij vetëm në vitin 2021, sa ishte këshilltar i jashtëm në MASHT.
Si këshilltar i jashtëm në këtë ministri, ai paguhej 24 mijë euro në vit, e te hyra të tjera vjetore kishte edhe 20 mijë euro të tjera në ofrim të konsulencës për klientë të ndryshëm.
Ai posedon tokë në Prishtinë në vlerë 250 mijë euro, dhe shtëpi banimi të trashëguar në vlerë 150 mijë euro. Po ashtu ai ka edhe dy vetura që kapin vlerën 12 mijë euro. Ndërsa para në banka ai posedon mbi 66 mijë euro.
Kriteret në konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Kostt
Sipas burimeve të Gazetës Infokus, Evetar Zeqiri, nuk i ka plotësuar kriteret për tu zgjedhur në pozitën e kryeshefit të Kostt. Ai ka të përfunduar “Bachelor” në Menaxhment Informatik në Universitetin e Prishtinës, si dhe një diplomë “master” në Administratë Biznesi në Universitetin e Sheffieldit.
Kjo vërehet edhe në bazë të konkursit të hapur me 10 gusht nga Kostt, ku në pjesën e kualifikimeve dhe aftësive qe duhet të ketë personi që kandidon për pozitën e kryeshefit është edhe përvoja e nevojshme profesionale dhe shkollimi i kërkuar për këtë pozitë, që përparësi është fakulteti i inxhinierisë, kriter të cilin nuk e plotëson, Zeqiri, të paktën sipas raportimeve publike për shkollimin e tij.
Kriter tjetër në konkurs është edhe që personi i zgjedhur në këtë pozitë të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në pozita udhëheqëse, dhe përvojë në sektorin e energjisë.
Ani pse në konkurs thuhet se aplikacionet do të pranohen vetëm nga personat që i plotësojnë kriteret në bazë të konkursit, aplikacioni i mikut të Hysenit të LVV-së, u pranua e ai kaloi edhe intervistimin me gojë, duke u zgjedhur nga bordi me më së shumti pikë në pozitën e kryeshefit.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria Kurti po “rehaton” familjarët e anëtarëve të partisë. Që nga fillimi i mandatit është raportuar disa herë për punësime të tillë ani pse para ardhjes në pushtet thonin se do të luftonin nepotizmin. Vazhdimisht në media është raportuar për familjarë të ministrave e pushtetarëve që po punësohen në institucionet shtetërore në vend.