Kryeshefi i Telekomit i entuziazmuar që rrjeti mobil i ‘VALA’-s mbetet operatori më i preferuar për vizitorët
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është i entuziazmuar që rrjeti mobil i ‘VALA’-s mbetet operatori më i preferuar për vizitorët (InBound Roamers).
“Në këtë moment, në rrjetin tonë mobil janë të evidentuar mbi 156 mijë përdorues/numra që kanë përzgjedhur ‘VALA’-n si partnerin më të besueshëm për komunikim. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar dhe vitet tjera paraprake, rezulton se kemi dyfishin e këtyre vizitorëve që janë të lokalizuar nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës, duke qenë të lidhur me rrjetin mobil të ‘VALA-s’”, ka shkruar ai.
Istrefi ka thënë se kualiteti i shërbimeve dhe shpejtësia e internetit 4G/LTE janë përcaktues në përzgjedhjen e ‘VALA’-s të të gjithë atyre, qoftë bashkatdhetarëve apo vizitorëve të huaj që gjatë këtyre muajve të verës ndodhen në vendin tonë.
“Siç mund të vërehet edhe në tabelën dhe në grafikun e mëposhtëm që duke krahasuar periudhën e njëjtë nëpër vite të ndryshme, përkatësisht katër vitet e fundit, ‘VALA’ ka shënuar rekord sa i përket vizitorëve në rrjetin e saj. Kjo performancë e rrjetit tonë mobil dhe ky përkushtim i stafit të Telekomit të Kosovës, më inkurajojnë se jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivat dhe strategjinë e përcaktuar nga Menaxhmenti dhe Bordi që kompania jonë të vazhdojë të jetë lider në tregun e telekomunikimit në vend”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.
/Epoka e re/