Kryeshefi i Telekomit i reagon Visar Ymerit

04 prill 2019 | 17:03

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka reaguar ndaj deklaratës dhe kërkesave të deputetit të PSD-së dhe kryetarit të Komisionit hetimor parlamentar, Visar Ymeri, në lidhje me gjendjen në ndërmarrje.

“Telekomi i Kosovës konsideron se deklaratat dhe fushatat në dëm të kësaj kompanie, e dëmtojnë në masë të madhe imazhin dhe afarizmin e korporatës sonë”, është thënë në reagimin publik të Istrefit.

Reagimi i plotë i Istrefit:

Telekomi i Kosovës dëshiron që përmes këtij Reagimi Publik, të njoftojë opinionin publik se z. Visar Imeri, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, është nxituar në deklarimin e tij mbi gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Kërkesa e z. Imerit në Telekomin e Kosovës është adresuar me 28 mars 2019.

Në këtë kërkesë të Komisionit hetimor parlamentar, e cila tashmë është bërë publike, është kërkuar që për një afat rekord të shkurtër (vetëm tri ditë), Telekomi i Kosovës të ofrojë dhe dorëzojë material (kopje) të:
– dymbëdhjetë kontratave
– shpenzimet e medieve për 20 vite
– shpenzimet e marketingut për 20 vite
– shpenzimet e qirave (pa specifikuar çfarë qirash) për 20 vite
– shpenzimet e reprezentacionit për menaxhment, kryeshefa dhe bord për 20 vite
– raportet e auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm për 20 vite
– raporte dhe lista të të punësuarve për 20 vite.

I gjithë ky material voluminoz, është e pamundur që të sigurohet dhe të kompletohet për vetëm tri ditë, aq sa është kërkuar zyrtarisht nga ky komision parlamentar, kërkesë kjo e datës 29 mars 2019.

Kërkesa e këtij komisioni, ka qenë jospecifike, si p.sh. qiratë, ndërsa në raste të tjera shumë e përgjithësuar, si dhe në një rast janë kërkuar kontrata që Telekomi i Kosovës nuk ka dijeni që ekzistojnë.

Telekomi i Kosovës i ka kërkuar një afat shtesë këtij komisioni, në mënyrë që ta ketë kohën e mjaftueshme për ta kompletuar në tërësi tërë këtë dokumentacion.

Telekomi i Kosovës, në të njëjtën shkresë e ka njoftuar këtë komision se disa nga kontratat dhe materialet e kërkuara nga ana e Komisionit parlamentar hetimor, tashmë siç dihet edhe publikisht, janë subjekt i trajtimit nga ana e organeve ligjzbatuese, prandaj me këtë rast, mbetet të vlerësohet fakti se a mund të paraqesin dëmtim të procesit të hetimit dhe trajtimit të këtyre rasteve.

Telekomi i Kosovës konsideron se deklaratat dhe fushatat në dëm të kësaj kompanie, e dëmtojnë në masë të madhe imazhin dhe afarizmin e korporatës sonë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Belen Rodriguez dhe Stefano De Martino janë bashkuar sërish. Kjo…