Kryeshefi i Telekomit kërkon të konsultohet institucioni i tij para se të fillojnë ndërtimet
Para se të japin leje për ndërtime, Istrefi thotë se institucionet duhet konsultuar edhe Telekomin rreth shtrirjes së rrjetit
Kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi, thotë se institucionet e pushtetit qendror dhe atij lokal, me rastin e dhënies së lejeve ndërtimore për kompanitë dhe personat fizik, duhet të bëjnë konsultim paraprak edhe me Telekomin, rreth shtrirjes së rrjetit.
Sipas Istrefit, kjo duhet të bëhet se sepse gjatë shtrirjes së rrjetit, po bëhet edhe dëmtimi i pronës së Telekomit.
“Telekomi, në rrjetin e vet po pëson dëme, gjatë ekzekutimit të punimeve me leje të marra nga komuna, për mungesë konsultimi paraprak rreth shtrirjes së rrjetit tonë. Me rastin e kryerjes së punimeve nga palët e treta, dëmet që po shkaktohen, po marrin kohë deri sa po riparohen, përkundër angazhimit tonë që sa më shpejt të sanohen”, ka shkruar Istrefi në Facebook.
Ai thekson se “Ofrimi i shërbimeve cilësore dhe kënaqshmëria e konsumatorit është në vend të parë”.
“Ne mundemi sepse e duam punën tonë dhe për këtë në veçanti falënderoj punonjësit e Telekomit në terren të cilët në çdo situatë, në kohën më të shpejt merren me sanimin e dëmeve të shkaktuara nga mungesa e informacionit. Dëmet e shkaktuara për mungesë shërbimi të Telekomit, do të kompensohen, andaj konsumatorë të nderuar, ju falënderojmë për besimin dhe durimin Tuaj!”, përfundon Istrefi.