Kryeshefi i Telekomit ndalon punësimet
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka bërë me dije se me disa vendime që kanë hyrë në fuqi të hënën do të preken pozitat e larta, pasi do të ulën të gjitha strukturat e gradave “me efekt të përkohshëm dhe deri në përmirësimin e situatës financiare të korporatës”, e deri te punonjësit, pasi priten edhe pensionime të parakohshme.
Në mesin e masave do të jenë ndalja e punësimeve të reja, ndërprerja e kontratave të hapësirave reklamuese, ulja e shpenzimeve të qirasë dhe reduktimi i përdorimit të veturave zyrtare.
“Menaxhmenti ekzekutiv i propozon Bordit të Drejtorëve që me efekt të përkohshëm dhe deri në përmirësimin e situatës financiare të korporatës, të bëhet ulja e vlerës së tërë strukturës së gradave në korporatë në përqindje gjenerale dhe jo individualisht, për t’iu shmangur shkeljeve ligjore dhe kontesteve të mundshme të punëtorëve nëpër Gjykata”, është vendimi i parë, për çka është vendosur unanimisht në mbledhjen e Menaxhmenti ekzekutiv, mbajtur të premten.
“Kemi në sektorë dhe drejtori të caktuara ku përshkrimi dhe pozita e vendit të punës është e njëjtë, mirëpo grada apo të hyrat financiare dallojnë mes njëri apo tjetrit. Dhe këtu i kemi identifikuar si me prioritet që të ndërhyjmë që ta bëjmë këtë nivelizim të gjithë stafi të jetë i barabartë në bazë të përshkrimit të vendit të punës, t’i eliminojmë të gjitha pozitat fiktive që janë krijuar me kohë pas kohe në Telekomit të Kosovës dhe që kanë dalë jashtë organogramit”.
“Menaxhmenti ekzekutiv, po ashtu vendosi që menjëherë të ndërpriten të gjitha punësimet, si dhe të ndalohen të gjitha risistemimet interne të cilat kanë efekte financiare dhe shprehen në rritje të gradave të punësuarit”, ka thënë Istrefi për “Ekonomia Online”.