Kryeshefi i Telekomit fillon vizitat nëpër regjione, nis me Gjilanin
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, është takuar sot me punëtorët e kësaj ndërmarrje në komunën e Gjilanit.
“Pata kënaqësinë që sot të takohem me kolegët e Telekomit të Kosovës në Gjilan, me të cilët diskutuam për ecurinë e shitjes së produkteve të reja në treg. Produktet e reja, të cilat janë të shumta, e sidomos pakot e fundit promocionale të kombinuara të telefonisë fikse, internetit dhe TV-së, janë të disponueshme për konsumatorët tanë, me çmime tejet të ulëta. Kjo ka inkurajuar kolegët tanë që me përkushtimin më të madh t’i prezantojnë ato tek konsumatorët ekzistues por edhe ata të rinj”, ka shkruar Istrefi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se gjatë diskutimit, i ka siguruar kolegët e tij në Gjilan se do ta kenë përkrahjen e tij të plotë për t’u përballur me të gjitha problemet dhe vështirësitë që mund të kenë, gjatë kryerjes së punëve të përditshme, me interes të përbashkët për Telekomin.
“Gjithashtu i inkurajova që të vazhdojnë me përkushtimin e tyre, për realizimin e strategjisë zhvillimore të Telekomit të Kosovës. Telekomi i Kosovës – Vala vazhdimisht ka hedhur në treg produkte tejet atraktive, siç janë pakot familjare prepaid, pakot e kombinuara FOL, pakot postpaid individuale, pakot e internetit, etj., duke targetuar kësisoj të gjitha grupmoshat e shoqërisë sonë”, ka thënë kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.
/Epoka e re/