
Kryeshefi i Termokosit: Çmimi ishte si vitin e kaluar, konsumatorët u faturuan për shpenzim real
Edhe dy javë kanë mbetur deri në përfundim të sezonit të ngrohjes. Ngrohtorja e Qytetit “Termokos”, ka deklaruar se ky vit ka qenë i suksesshëm dhe mjaft sfidues.
Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, është përgjigjur për ankesat e shumta të konsumatorëve për çmimet e faturave.
Ai ka theksuar çmimet e faturimit caktohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe se tarifa për matje këtë vit është më e ulët se vitin e kaluar.
Ndryshimi i sistemit të faturimit është bërë pas implementimit të projektit “Prishtina HeatSave”, në kuadër të cilit janë instaluar pajisje të matjes në mbi 17,500 njësi banimi.
“Njëra prej sfidave kryesore siç ka qenë edhe pritur prej menaxhmentit tonë ka qenë natyrisht edhe fillimi i implementimit të projektit ‘Prishtina HeatSave’. Projekti ka paraparë që të futen në njësinë e matjes në bazë të konsumit 17,500 njësi të banimit, të cilat fatbardhësisht në aspektin teknik dhe të aplikimit të metodologjisë, nuk kemi asnjë vërejtje, mirëpo siç e di edhe opinioni kemi disa vërejtje të konsumatorëve për shkak të ndërrimit të metodologjisë por jo ndërrimit të çmimit, për shkak se çmimi i aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka qenë i njëjtë për m2 siç ka qenë në sezonin paraprak, ndërsa për matje ka qenë më i lirë për disa cent për gjithë konsumatorët”, ka thënë Osmani, teksa ka shtuar se kanë arritur që këtë periudhë t’iu përgjigjen secilit konsumator.
“Faturat e Ngrohtores kanë shkuar tek konsumatorët për shpenzimin real të cilin konsumatorët e Prishtinës e kanë bërë. Pra, ne kemi pranuar disa ankesa të cilave iu kemi përgjigjur në masë mbi 95 për qind, dhe duhet të jemi të qartë se Termokosi si ndërmarrje publike operon në treg të rregulluar, tarifat e këtyre rregullimeve i bën ZRRE-ja, përfshirë edhe aprovimin e metodologjisë. Termokosi nuk ka të drejtë dhe autorizim të caktojë dhe përcaktojë çmim, pra ne e implementojmë metodologjinë e parapërcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe në këtë drejtim kemi lëvizur”, u shpreh Osmani.
Kryeshefi i “Termokosit” ka thënë se në këtë sezon kanë arritur ta kursejnë energjinë dhe faturat e konsumatorëve. Sipas tij, mbi gjysma e konsumatorëve kanë pranuar fatura më të ulëta se sa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Në bazë të numrave që ne i kemi, nga fillimi i sezonit deri në fund të muajit mars, ne kemi kursim të energjisë dhe kursim të qytetarëve në faturat e tyre, mesatarisht në secilin muaj nga shkurti e deri sot, mbi 65 për qind të qytetarëve në Prishtinë kanë pranuar fatura më të lira, se sa që i kanë pranuar vitin e kaluar me m2 dhe këtë po e flas me kompetencë dhe përgjegjësi në bazë të statistikave të të dhënave dhe matjeve të cilat ne i kemi”, u shpreh tutje Osmani.
Kryeshefi i Ngrohtores “Termokos”, ka thënë se ka thënë se në këtë sezon nuk ka ndodh të mos ketë ngrohje me ditë të tëra, përveç defekteve për disa orë.
“Po e përmbyllim njërën prej sezoneve të suksesshme por paralelisht edhe shumë sfiduese për Ngrohtoren. Kanë mbet më shumë se dy javë deri në përfundim të sezonit ngrohës, përfundon më 15 prill të vitit 2025 dhe data 16 prilli do të jetë fillimi i përgatitjeve për sezonen e ardhshme. Fatbardhësisht e kemi përfunduar një sezon në aspektin e funksionalitetit teknik, termik të Ngrohtores, që nënkupton se kemi ofruar shërbim pa asnjë ditë ndërprerje deri sot. E mira ka qenë që kemi mbërri me ofrua shërbim më cilësor se sa që ka qenë viteve paraprake dhe ankesat për cilësinë e ngrohjes dhe shërbimit, kanë qenë minimale, të cilat natyrisht me intervenimet të nevojshme teknike, kemi mbërri me i rikuperua dhe me i sanua”, ka thënë Osmani, teksa shton se falë mbështetjes së ekipeve, kanë arritur që brenda ditës ta rikthejnë ngrohjen në zonat ku ka pasur defekt.
“I kemi pasur disa defekte teknike në zonat të ndryshme të qytetit, mirëpo të gjitha kemi me i arrit me ekipet tona të mirëmbajtjes të departamenteve përkatëse me i menaxhua shpejt dhe me përfundua në kohë optimale në mënyrë që me e rikthye furnizimin e rregullt. Vlen të përmendet që nuk kemi raste ku ka ndodh mosfunksionaliteti me ngrohje për ditë të tëra, përveç brenda disa orëve është dashur me u rikthye ngrohja dhe e kemi bërë një gjë të tillë”./EO/