Kryeshefja e Inspektoratit Policor vizitoi Prokurorinë Themelore të Pejës
Kryeshefja ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Miradije Kelmendi, me bashkëpunëtorë sot ka vizituar Prokurorinë Themelore të Pejës.
Ajo është pritur në këtë takim nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.
Kelmendi dhe Kurmehaj, kanë thënë se ky takim kishte për qëllim fuqizimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes dy institucioneve.
“Takimi që u mbajt në zyrën e kryeprokurorit Kurmehaj kishte për qëllim fuqizimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes dy institucioneve duke ofruar mbështetje të ndërsjellë në mënyrë që të sigurohet efikasitet edhe më i madh në trajtimin e rasteve. Konkluzion i përbashkët i takimit përveç tjerash ishte zotimi për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin, me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, është thënë në njoftimin për medie të Inspektoratit Policor të Kosovës.
/Epoka e re/