Kryesia e LDK-së: Fadil Ferati dha kontribut të veçantë në forcimin e institucioneve të Kosovës
Kryesia e LDK-së udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Ismet Beqiri, anëtarë të kryesisë së degës, familjarë, miq dhe zyrtarë komunalë kanë përkujtuar sot nënkryetarin e LDK-së, kryetarin e degës së LDK-së në Istog dhe kryetarin shumëvjeçar të Komunës së Istogut, Fadil Feratin.
Në 9-vjetorin e vdekjes së Fadil Feratit, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka përkujtuar veprat e Fadil Feratit si trashëgimi të veçantë të LDK-së.
“Çdoherë kjo ditë do të jetë ditë dhimbjeje njëkohësisht krenarie për LDK-në dhe familjen. Fadil Ferati mbetet intelektuali i pashoq, kryetari shembullor, shumë i përkushtuar, atdhetar dhe shumë i dashur për qytetarët dhe neve. Ferati ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, prandaj është kënaqësi dhe privilegj për të gjithë ata që punuan me të”, ka thënë Beqiri.
Edhe nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka vlerësuar lartë jetën dhe veprën e Fadil Feratit.
“Shprehim mirënjohje për kryetarin e parë dhe shumë vjeçar të Komunës së Istogut, Fadil Feratin, për mikun tim dhe mikun e të gjithë qytetarëve të Istogut, si kryetar të zellshëm dhe të përkushtuar që dha kontribut të veçantë për ndërtimin e Istogut dhe ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Rugova.
Për miqësinë dhe bashkëpunimin me Fadil Feratin deri në ditët e fundit të jetës së tij, ka folur edhe shoku i ngushtë i tij, anëtari i kryesisë së LDK-së Naser Osmani.
Osmani ka thënë se veprat e Fadil Feratit dhe miqësia që kishte me të do të mbesin gjithmonë pjesë e jetës së tij.
/Epoka e re/