![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/04/isa-1.jpg)
Kryesia e LDK-së sot vendos për emrin e kandidatit për kryeministër
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot pritet të vendosë për emrin e kandidatit për kryeministër nga kjo parti. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Sot, në ora 13:00 pritet që Kryesia e ngushtë e LDK-së të vendos për emrin e kandidatit për kryeministër”, tha ky burim.
Gjatë ditës së djeshme presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se mandatin për formimin e Qeverisë do t’ia jap LDK-së. Ai ka shkruar dje se qeveria e ardhshme duhet të jetë e aftë për të luftuar Covid-19 dhe për t’i shërbyer popullit.
“Javën tjetër unë do t’i ndërmarr hapat e fundit kushtetues për ta mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Kuvendi, i aftë për të luftuar COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për ta forcuar mbështetjen e ShBA-së dhe BE-së për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.
Ndërkohë, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se LDK-ja është e gatshme ta pranojë mandatin nga presidenti. “Në momenti që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK-ja pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa të dielën.