Kryesuesi dhe anëtarët e KQZ-së presin në takim misionin vëzhgues të zgjedhjeve nga BE-ja
Një delegacion i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (BE), të cilët do të vëzhgojnë nga afër zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë qëndruar të premten në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Fillimisht, delegacioni i BE-së, i kryesuar nga zëvendësi i këtij misioni, Thomas Boserup janë takuar me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa më pas edhe me anëtarët e KQZ-së, Sami Kurteshi, Ilir Gashi, Alban Krasniqi dhe Ibrahim Selmanaj.
Gjatë takimit të parë, kryesuesi Radoniqi, i ka uruar mirëseardhje në Kosovë vëzhguesve nga Bashkimi Evropian dhe i informoi lidhur me përgatitjet që është duke i zhvilluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen pas një muaji.
Po ashtu, Radoniqi ka shprehur rëndësinë e madhe që ka për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë do të rritet besueshmëria në procesin zgjedhor dhe se gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ, ashtu si në të kaluarën.
Ndërsa zëvendësi i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Thomas Boserup, ka thënë se ky mision do të vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, para, gjatë dhe gjithashtu pas zgjedhjeve.