Kryesuesi Hyseni po qëndron për vizitë studimore në Austri
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, është duke qëndruar në një vizitë studimore në Vjenë të Austrisë, ku janë duke u trajtuar temat e parandalimit të larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Gjatë kësaj vizite studimore është duke u biseduar për parandalimin dhe ndjekjen penale të larjes së parave dhe financimin e terrorizmit, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar lidhur me luftimin e dukurive kundërligjore të lartcekura.
Po ashtu, do të trajtohen edhe tema tjera që lidhen me hetimin dhe përvojat e Austrisë në luftë kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Në këtë vizitë studimore po marrin pjesë edhe prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorë të prokurorive tjera, gjyqtarë, zyrtarë policorë, përfaqësues të ATK-së dhe inteligjencës financiare.
Kjo vizitë studimore është organizuar nga Ministria Federale e Financave të Austrisë dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC).
/Epoka e re/