Kryesuesi i KGjK-së pjesëmarrës në organizatat simotra në Tiranë
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, po merr pjesë në takimin e Bordit Drejtues të Rrjetin Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, i cili po mbahet në Tiranë.
Takimi ishte i përqendruar në organizimin e përgatitjeve për konferencën plenare të BEMNCJ në vitin 2018; ndryshimet të mundshme statusore të rrjetit; ecurinë e reformave në vendet anëtare; rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar mes vendeve anëtare të rrjetit dhe me organizata partnere etj.
Përveç këtyre temave të lartcekura, anëtarët e Rrjetit me theks të veçantë diskutuan për domosdoshmërinë e sigurimit të pavarësisë së gjyqësorit nga çdo lloj ndërhyrje që cenon parimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të së drejtës.
Gjithashtu, anëtarët e Rrjetit morën vendim që takimi plenar dhe konferenca e XIII e Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë do të mbahet në Budvë, në Malit të Zi, më 21-22 qershor.
Rrjeti Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë, është një organizëm në përbërje të së cilit janë Këshillat Gjyqësorë të vendeve të Ballkanit dhe të Mesdheut Evropian: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Hungaria, Italia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Kosova dhe Serbia.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës u pranua si anëtar i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë më 28 maj 2015 dhe për herë të parë po merr pjesë në Bordin e këtij rrjeti.
/Epoka e re/