Kryesuesi Maloku: Jemi duke u angazhuar për realizimin e obligimeve tona që dalin në rrugën e integrimeve evropiane
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Jetish Maloku, zhvilloi një takim pune me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, z. Tomas Szunyog me bashkëpunëtorë.
Në fokus të takimit të sotëm të z.Maloku me z.Szunyog ishte diskutimi për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të sistemit prokurorial dhe mekanizmave të Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me zbatimin e sundimit të ligjit dhe angazhimet e tjera me interes të përbashkët.
Me këtë rast, Kryesuesi Maloku informoi nga afër Ambasadorin Szunyog për zhvillimin e aktiviteteve që po bëhen për realizimin e obligimeve që dalin në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilat kanë të bëjnë, përveç të tjerave, me fuqizimin e transparencës publike, efektivitetin, efikasitetin dhe llogaridhënien gjatë procesit të punës.
Ai, tha se, në mënyrë të veçantë, sistemi prokurorial është duke u angazhuar edhe për realizimin e obligimeve që dalin në rrugën e integrimeve evropiane.