Kryesuesit e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit kërkojnë nga KQZ-ja t’iu tregojë sa është 20% i votuesve në këto komuna
Më Udhëzimin Administrativ të nxjerrë nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, që është nën varësinë direkte të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po merr rrugë shkarkimi i kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.
Demokracia ka arritur të mësojë nga burime qeveritare se dy kryesuesit e dy Kuvendeve Komunale, ai i Leposaviqit, Gorski Buriq dhe i Mitrovicës së Veriut, Nedzad Ugljanin, i kanë përcjellur kërkesat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Dy kryesuesit, në kërkesat e tyre, kanë kërkuar nga KQZ-ja që t’i informojë se sa është numri i votuesve në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej njëzet përqind (20%).
Sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së, KQZ, jo më vonë se 5 ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar dhe ministrinë me numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse, si dhe me numrin minimal të nevojshëm të nënshkrimeve.