Kryetarët e komunave veriore takohen me komandantin e KFOR-it
Kryetari i Listes Serbe, Goran Rakiq dhe krytarët e komunave veriore të Kosovës, Milan Radojeviq, Zoran Todiq, Srgjan Vuloviq dhe Dragisha Miloviq, janë takuar sot me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari.
”Ne jemi të vendosur që si përfaqësues legjitimë të serbëve të punojmë në zgjidhje që do të tejkalojnë tensionet, por për një gjë të tillë duhet konstruktivitet edhe tek palët e kundërta, që nuk është shembull tani, por duke marrë vendime të njëanshme dhe me këmbëngulje në zbatim, situata komplikohet edhe më shumë”, citon Tanjug të kenë thënë Goran Rakiq dhe kryetarët e komunave veriore.
Mes tjerash siç citon Tanjug, Rakiq dhe kryetarët e komunave, kanë kërkuar nga KFOR garanci për mospërshkallëzimin e situatës në Kosovë.
”Ruajtja e paqes dhe stabilitetit është qëllimi ynë parësor, andaj KFOR-i duhet të mbetet garant se situata e sigurisë në Kosovë nuk do të përshkallëzohet, për shkak të mosmarrëveshjes me Prishtinën dhe njoftimit se pas 1 shtatorit, vendimi për riregjistrimin e automjeteve dhe lëshimi i dokumenteve të hyrjes dhe daljes do të vazhdojë”.