Kryetarët e qendrave të Vetëvendosjes: Të dorëhequrit të kthehen në Kryesi
Kryetarët e qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dhënë përkrahje kërkesës së Kryesisë së kësaj lëvizje që të dorëhequrit të kthehen në organet drejtuese të Vetëvendosjes.
“Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet. Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
Njoftimi i plotë nga mbledhja e kryetarëve të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje:
Nën udhëheqjen e ushtruesit të detyrës së Sekretarit Organizativ, Ismajl Kurteshi, Vetëvendosje! u mbajt mbledhja me kryetarët e Qendrave të Lëvizjes.
Në mbledhje morën pjesë 27 përfaqësues të Qendrave, në mesin e tyre edhe tre përfaqësues të qendrave nga diaspora: Verim Mejzini nga Austria, Bekim Halimi nga Britania e Madhe dhe Mujë Shala nga Zvicra, ndërkaq dy kryetarë mungonin me arsye, kurse kryetarët e qendrave të tjera të Lëvizjes nga diaspora mbledhjen e ndoqën përmes rrjetit “Skype”.
Në këtë mbledhje u diskutua rreth situatës së krijuar në Lëvizjen Vetëvendosje pas dorëheqjeve të kryetarit të saj dhe disa anëtarëve të Kryesisë, si dhe për procesin zgjedhor për kryetar të Lëvizjes.
Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet.
Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në lidhje me përgatitjet për zgjedhjen e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje të pranishmëve u foli Adnan Rrustemi, në cilësinë e kryetarit të KZP-së.
Në këtë takim u fol edhe për iniciativën e 43 deputetëve të PAN-it për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kryetarët e Qendrave ishin të mendimit se qëndrimi i Lëvizjes në lidhje me këtë çështje ka qenë i drejtë, e iniciativa për shfuqizim ishte e papërgatitur dhe e pasinqertë, meqenëse prirej prej interesave personale e jo atyre kombëtare e shtetërore.