Kryetari Bahtiri kërkon që e diela të jetë ditë pushimi për të gjithë
Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Në këtë mbledhje, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me Panairin e Punës i cili në Mitrovicë do të mbahet më 12 prill në sallën e sporteve “Minatori”, ku tha se panairi do të organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe nga ana e komunës do të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për një organizim sa më të mirë.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar bordin se është duke u punuar për respektimin e orarit të punës të subjekteve afariste, ku me këtë rast kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e lokaleve të cilat nuk e respektojnë orarin e punës sipas Rregullores komunale Nr. 03/2014 dhe mbylljen e lojërave të fatit të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pa licencë.
Nga ky aksion, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se gjatë vikendit janë mbyllur gjithsej 20 biznese, tri markete të mëdha, dy barnatore, 15 bastore dhe dy kazino.
Ai më tutje ka thënë se ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme derisa të zbatohet Rregullorja komunale në fuqi.
Në fund kryetari Bahtiri, ka lavdëruar punën e drejtorit të Inspeksionit, Hysni Ahmeti, duke ofruar mbështetjen e tij të plotë që komuna e Mitrovicës të funksionojë me rregulla evropiane ku dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjithë.
/Epoka e re/