Kryetari Bahtiri viziton shkollat e mesme në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, kanë vizituar disa nga shkollat e kësaj komune. Ata fillimisht kanë vizituar gjimnazin “Frang Bardhi”, shollën ekonomike “Hasan Prishtina” dhe atë të mjekësinë “Xheladin Deda” për t’u njoftuar rreth procesit të pranimit të nxënësve dhe përgatitjeve të bëra për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në gjimnazin “Frang Bardhi”, kryetari Bahtiri është pritur nga drejtoresha e kësaj shkolle, Zybejde Gogoli- Latifi, dhe stafi mësimor.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka përgëzuar drejtoreshën dhe stafin arsimor për punën intensive dhe të palodhshme për mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të nxënësve sipas kritereve të parapara nga MAShT-i.
Bahtiri ka thënë se për të pasur një shtet të zhvilluar duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe arsimit, në mënyrë që ai të jetë sa më cilësor. Ai po ashtu ka thënë se si kryetar komune, arsimin e trajton me prioritet dhe në mënyrë të veçantë dhe se është duke punuar intensivisht që nxënësit në vazhdimësi të kenë kushte sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
Drejtoresha, Zybejde Gogoli-Latifi, ka falënderuar kryetarin Bahtiri për vizitën dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për të siguruar një arsim sa më cilësor për nxënësit tanë. Edhe drejtori i Arsimit, Egzon Jashari ka uruar drejtoreshën dhe stafin mësimor me rastin e fillimit të viti të ri shkollor.
/Epoka e re/