Kryetari Begaj merr mbështetje nga KFOR-i
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe shefja e kabinetit, Blerta Krasniqi, kanë pritur në takim kolonel Nattale Gatti, komandant i Komandës së Regjionit të KFOR-it, në regjionin e Pejës, me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim, Begaj dhe Gatti kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Komunën e Malishevës, duke theksuar se gjendja e sigurisë në këtë komunë është stabile dhe e menaxhueshme.
Ata kanë biseduar për infrastrukturën në arsim, shëndetësi, rrugë, kanalizim, ujësjellës, mjedisin hapësinor e deri të çështjet politike, lokale dhe qendrore.
Për të gjitha këto çështje, Begaj e ka njoftuar kolonelin Nattale Gatti, komandant i Komandës së Regjionit të KFOR-it për investimet në infrastrukturën arsimore dhe rrugore. “Malisheva si komunë, megjithëse, me një buxhet të vogël për investime kapitale e me kërkesa të mëdha për zhvillim ekonomik, ia kemi arritur që tu ofrojmë kushte për mësim sa më cilësor nxënësve nga mësimdhënësit, në kompletimin e infrastrukturës shkollore. Po ashtu në shëndetësi, rrugë, kanalizime, kurse, ende kemi nevojë dhe po punojmë në këtë fushë si dhe për të ardhmen në krijimin sa më të mirë të ambientit për kushte në punësim”, ka thënë Begaj.
Ndërsa kolonel Nattale Gatti e ka përgëzuar Begajn për këtë angazhim në shërbim të qytetarëve të Malishevës dhe ka ofruar bashkëpunim edhe në të ardhmen.
Në fund të këtij takimi, kryetari Begaj dhe kolonel Nattale Gatti, kanë shkëmbyer dhurata simbolike.