Kryetari i bashkisë së Tiranës nderon Pendarovskin me “Çelësin e qytetit”
Për vizitën e tij të parë zyrtare, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski zgjodhi pikërisht Tiranën, ku u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veliaj i dorëzoi Pendarovskit “Çelësin e qytetit”, si një dëshmi e një dere të hapur dhe e një miqësie të gjatë mes dy vendeve.
“Jam shumë i lumtur që mirëpres në qytetin e Tiranës, në Bashki, në shtëpinë tonë të përbashkët mikun tonë, vëllain tonë, fqinjin tonë, Stevo Pendarovski, Presidentin e ri të Maqedonisë. Jam shumë i lumtur që ai ndan bindjen tonë se fqinjët e mirë janë bashkë në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira. Tirana është sot shtëpia edhe e shumë qytetarëve të Maqedonisë, ndihen të barabartë”, ka thënë Veliaj
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i ka shprehur mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për nderimin me “Çelësin e qytetit”.
“Unë jam president i një shteti multientik, edhe kryetari i qytetit të Shkupit është gjithashtu kryetar i një qyteti multietnik gjithashtu. Respekti ndaj diversiteteve prej të cilave është i formuar shteti dhe shoqëria jonë, janë parakusht themelor për një progres në shekullin XXI. Vërtet kam nderin dhe kënaqësinë që mora ‘Çelësin e qytetit’, sepse kurdo që të më sjellë rruga këndej nga ju, në Tiranë sidomos, do të kem vendin ku të fle një natë”, u shpreh Pendarovski.